MENU
qimet-e-teperta-300x204

Hirsutizmi

Dhjetor 30, 2012 • Artikuj Islam, Mjeksia Islame, Sëmundjet

QIMET E TEPËRTA APO TË PADESHIRUARA TEK FEMRAT – HIRSUTIZMI !

Hirsutizmi është rritja e tepruar e qimeve tek femrat në zonat ku kjo rritje kontrollohet nga hormonet androgjene dhe vjen pikërisht si pasojë e rritjes së aktivitetit androgjenik. Në kushte normale vetëm meshkujt që kanë kaluar moshën e pubertetit duhet të kenë qime në këto zona.
Hirsutizmi paraqet rritje të tepruar të qimeve terminale në fushat androgjene sensitive në fytyrë dhe trup të femrës. Në Evropë më tepër dominon te femrat e Mesdheut sesa te femrat skandinave. Te shumica e femrave, hirsutizmi është manifestim lekuror i tepricës së androgjenëve, që mund të kenë prejardhje nga ovaret (vezoret), gjëndra suprarenale(mbiveshkore) ose barnat. Androgjenët(hormonet seksuale mashkullore-testosteroni) e nxisin shtimin e numrit dhe trashësisë së qimeve permanente në fushat androgjene sensitive.

*Cila është prevalenca dhe etiologjia?
Arsyet e shfaqjes së sëmundjes mund të jenë të ndryshme: PCOS (Sindroma e ovareve policistike), hirsutizmi mund të jetë edhe idopatik, mund të paraqitet edhe për shkak të mungesës së enzimeve steroide të gjëndrës suprarenale dhe ovareve, për shkak të tumoreve ovariale dhe suprarenale sekretuese (zakonisht shoqërohen me çrregullime të ciklit deri në ndalim të menstruacioneve), apo te sëmundjet endokrine si: sindroma Cushing, sëmundja e metabolizmit të kortizolit, hiperprolaktinemia dhe akromegalia. Hirsutizmi ka tendencë familjare dhe influencohet nga raca, ku kaukazianët (të bardhët) preken më tepër se afrikanët dhe këta të fundit më tepër se aziatikët.
Përqindja më e madhe i takon PCOS dhe hirsutizmit idiopatik. Androgjenët e nxisin shndërrimin e vellus qimeve në qime permanente(te perhershme) në fushat androgjene sensitive. Nxitësit hormonal për rritjen e qimes shërben 5-alfa dihidrotestosteroni, që krijohet nga shndërrimi i testosteronit nën veprimin e enzimit 5 alfa-reduktazës në folikulin e qimes.
50-70% e testosteronit qarkullues te femrat normale vjen nga prekursorët e androstenedionit dhe DHEA (më se 80% e dehidroepiandrosteronit ka prejardhje nga suprarenalja). Te femrat, gjëndra suprarenale sekreton androstenedionin, DHEA, DHEAS dhe testosteronin; ovaret sekretojnë kryesisht androstenedionin dhe testosteronin. 

*A ka shenja të tjera?
Femrat me hirsutizëm mund të kenë edhe shenja të virilizimit(maskulinizimit): alopeci të tipit androgjen, akne, thellim zëri, rritje të masës muskulare, klitoromegali, libido të rritur, ndryshime të personalitetit. Shfaqen edhe ndryshime në ciklin menstrual: amenorrhea(mungese mnstruacionesh), oligomenorrhea(rrallim i menstruacioneve). Shpesh të sëmurat kanë anamnezë familjare pozitive ose të dhëna për marrjen e medikamenteve të ndryshme.

*Kur mund të konfirmohet se është hirsutizëm?
Me shumë kujdes kontrollohet lëkura për të vërejtur sasinë dhe lokalizimin e qimeve permanente, ekzistimin e acanthosis nigricans dhe strijeve. Me anë të shkallës Ferriman-Gallwey vlerësohen 11 fusha androgjene sensitive (buza e sipërme, mjekra, gjoksi, duart, krahët, këmbët, kofshët, pjesa e sipërme e barkut, pjesa e poshtme e barkut, pjesa e sipërme e shpinës, pjesa e poshtme e shpinës) prej vlerës 0 (mungesë e plotë e qimeve terminale) deri 4 (prani e shprehur e qimeve permanente). Shuma =8 ose >8 e vërteton diagnozën e hirsutizmit.

*Cilat analiza laboratorike duhen bërë?
Duhet të përcaktohet niveli i hormoneve e sidomos: testosteroni, LH, FSH, prolaktina, DHEAS si dhe në urine të përcaktohet niveli i 17-ketosteroideve.
Nëse janë të pranishme çrregullimet e menstruacioneve (oligomenorrhea, amenorrhea) përcaktojmë: prolaktinën, FSH, testosteronin total.
Nëse është i pranishëm virilizimi përcaktohet: testosteroni, 17-ketosteroidet urinare (që flet për rritje të androgjeneve adrenale), DHEAS – që është specifike për gjëndrën suprarenale (>90% vjen nga mbiveshkorja), nëse niveli është shumë i ngritur kjo flet për praninë e tumorit të gjëndrës suprarenale. Për të diagnostikuar llojin e hirsutizmit përdoren edhe testet stimulative, inhibuese dhe ato të përziera stimulativo-inhibuese.

*Kur duhen bërë ekzaminimet shtesë?
Kur dyshohet në hirsutizmin idiopatik duhet të përcaktohet 5-alfa reduktaza nga lëkura e regjionit pubik. Për të vërtetuar PCOS duhet të bëhet Echo-gjinekologjike. Kur dyshojmë në tumore bëhet CT (tomografia e kompjuterizuar), rezonanca magnetike.

*Si duhet të behet trajtimi i hirsutizmit ?
Trajtimi për hirsutizmin përfshin trajtimin kozmetik dhe terapinë anti-androgjenike.
Trajtimi kozmetik nënkupton oksigjenimin për zbardhjen e qimeve dhe bërjen e tyre të “padukshme”, eliminimin e përkohshëm (nëpërmjet ruajtjes, dyllit dhe kimikateve) si dhe eliminimin e përhershëm (lazer dhe elektrolizë).
Terapia anti-androgjen përfshin preparatet me përmbajtje progesteroni, spironolaktonin, cimetidinën preparate kortizonike dhe kontraceptivët oralë. Asnjë prej këtyre medikamentëve nuk mund të merret pa recetë mjeku dhe konsulta me mjek dermatolog, endokrinolog dhe/ose gjinekolog është e detyrueshme para fillimit të trajtimit.

Ja disa metoda:

HAPI 1:
Flisni me mjekun tuaj rreth terapisë anti-androgjene. Nivelet e larta të androgjeneve apo të hormoneve mashkullore mundë të shkakëtojnë rritje të tepruar të qimeve te gratë. Medikamentet anti-androgjene siq janë spironolaktoni dhe finasteridi mundë të reduktojnë rritjën e qimeve të reja pas nje përdorimi prej tre deri në gjashtë muaj sipas Akademisë Amerikane të Mjekësisë Familjare.

HAPI 2:
Provoni medikamentet kundër koncepcionit(frytnimit) nëse nuk e keni në plan mbetjen shtatzënë normalishtë nëse mjeku juaj mendon se janë të përshtatshme për ju. Këto medikamente mund të ndihmojnë në uljen e androgjeneve në trup dhe të kenë ndikim në ritmin e rritjes së qimeve pas disa muajve trajtim, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

HAPI 3:
Pyeteni mjekun tuaj rreth Eflornitinës një krem i cili aplikohet në fytyrë dhe ngadalëson rritjen e qimeve pas një apo dy muajve pas fillimit të trajtimit.

HAPI 4:
Ndërmerrni një trajtim me elektrolizë për të eliminuar përfundimishtë qimet. Kjo metodë e cila shfrytëzon ngarkesë të vogël elektrike e cila nepërmjet gjilpërës bartet në lëkurë me që rastë shkatërron folikulet e qimeve mirëpo është tejet e shtrenjtë dhe kërkon kohë sipas Akademisë Amerikane të Mjekësisë Familjare. Kjo metodë është e vetmja metodë me ndikim të përhershëm në qime e cila është lejuar nga Administrata për Ushqim dhe Barna të SHBA-ve.

HAPI 5:
Eliminoni qimet në shtëpi me anë të rruajtjes, shkuljes, depilimit me ngjitës apo duke përdorur depilatorë kimikë apo duke ndermarrë një trajtim laserik nga teknik të kualifikuar. Metodat shtëpiake duhet të përsëriten rregullishtë për të mbajtur rritjen e qimeve nën kontrollë, madje edhe trajtimi laserik nuk është i përhershëm pra duhet të përsëritet.
*Këshilla dhe Vërejtje
-Nëse jeni në mbipeshë,ju do jeni në gjendje të reduktoni rritjen e padëshiruar të qimeve duke humbur në peshë, me që rastë bie edhe niveli i androgjeneve në trupin tuaj.

-Medikamentet anti-androgjene mundë të shkakëtojnë defektë të lindjes.

Referencë:
http://www.livestrong.com/article/266645-how-to-treat-excessive-hair-growth-on-women/

Përgatiti dhe përshtati: Abdurrezak MD

Të lidhura

Comments are closed.

« »

Informacion